MESAZHI I SINODIT TE SHENJTE DHE TE MADH
PER POPULLIN ORTHODHOKS DHE PER CDO NJERI ME VULLNET TE MIRE
PER POPULLIN ORTHODHOKS DHE PER CDO NJERI ME VULLNET TE MIRE
MESSAGE OF THE HOLY AND GREAT COUNCIL ALBANIAN LANGUAGE
ΤΟ ΜΗΝΥΜΑ ΤΗΣ ΑΓΙΑΣ ΚΑΙ ΜΕΓΑΛΗΣ ΣΥΝΟΔΟΥ ΣΤΗΝ ΑΛΒΑΝΙΚΉ ΓΛΩΣΣΑ
Himnojmë dhe lavdërojmë Perëndinë “e dhembshurimeve dhe të çdo
ngushëllimi”, sepse na denjësoi të mblidhemi në javën e Pentikostisë
(18-26 qershor 2016), në Kretë, ku apostull Pavli dhe nxënësi i tij Titi
predikuan Ungjillin në vitet e para të jetës së Kishës. Falënderojmë
Perëndinë në Trini, sepse i pëlqeu të përfundojmë me një shpirt të vetëm
punimet e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksisë, të thirrur
nga Patriarku Ekumenik Vartholomeu, me mendimin unanim të primatëve të
Kishave Orthodhokse Autoqefale lokale.
Duke ndjekur me besnikëri shembullin e apostujve dhe të etërve
hyjmbajtës, studiuam përsëri Ungjillin e lirisë “me të cilën na çliroi
Krishti” (Gal.5:1). Themeli i kërkimeve theologjike ka qenë siguria se
Kisha nuk jeton për vete. Ajo transmeton dëshminë e Ungjillit të hirit
dhe të së vërtetës dhe ofron dhuratat e Perëndisë në mbarë krijesën:
dashurinë, paqen, drejtësinë, pajtimin, fuqinë e Kryqit dhe të Ngjalljes
dhe shpresën e përjetësisë.
1)
Përparësia bazë e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh ka qenë shpallja e
unitetit të Kishës Orthodhokse. Mbështetur në Eukaristinë Hyjnore dhe në
Pasardhjen Apostolike të Episkopëve, uniteti ekzistues duhet të
fuqizohet më tej dhe të sjellë fryte të reja. Kisha Një, e Shenjtë,
Katholike dhe Apostolike është shoqëri hyjnjerëzore, parashijim dhe
përjetim i të Fundmeve (ton eskaton) brenda Eukaristisë Hyjnore. Si një
Pentikosti e vazhdueshme, prania dhe dëshmia e Mbretërisë së Perëndisë
së dashurisë është zë profetik i pareshtur. Kisha Orthodhokse, besnike
në Traditën Apostolike unanime dhe në përvojën e Mistereve të Shenjta,
përbën vazhdimësinë autentike të Një Kishe, të Shenjtë, Katholike dhe
Apostolike, ashtu siç pohohet në Simbolin e Besimit dhe vërtetohet nga
doktrina e Etërve të Kishës. Kisha jonë përjeton misterin e Ekonomisë
Hyjnore në jetën e saj sakramentale me epiqendër Eukaristinë Hyjnore.
Kisha Orthodhokse e shpreh unitetin dhe katholicitetin e saj në
Sinod. Sinodialiteti frymëzon organizimin, mënyrën e vendimmarrjes dhe
përcakton ecurinë e saj. Kishat Orthodhokse Autoqefale nuk janë një
federatë kishash, por Një Kishë, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike.
Çdo Kishë lokale ofron Eukaristinë Hyjnore dhe është prania në vend dhe
shfaqja e një Kishe të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Sa i takon
Diasporës Orthodhokse në vende të ndryshme të globit, u vendos të
vazhdojë funksionimi i Asambleve Episkopale deri në zbatimin e saktësisë
kanonike (akriveia). Këto asamble janë të përbëra nga episkopët
kanonikë, që caktohen nga çdo Kishë lokale Autoqefale, të cilët
vazhdojnë t’i binden asaj. Funksionimi korrekt i Asambleve Episkopale
garanton parimin orthodhoks të sinodialitetit.
Gjatë punimeve të Sinodit të Shenjtë e të Madh u theksua rëndësia e
Mbledhjeve të Primatëve që janë realizuar dhe u formulua propozimi që
Sinodi i Shenjtë dhe i Madh të shndërrohet në një institucion që
mblidhet në mënyrë të përsëritur.
2)
Duke marrë pjesë në Eukaristinë Hyjnore dhe duke u lutur për mbarë
botën, duhet të vazhdojmë liturgjinë pas Liturgjisë Hyjnore dhe të japim
dëshminë e besimit tek ata që janë pranë ose larg nesh, në përputhje me
porosinë e qartë të Zotit përpara Ngjitjes së Tij në Qiell: “Dhe do më
jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem edhe në gjithë Judenë, edhe në Samari,
edhe deri në fund të dheut” (Veprat 1:8). Riungjillëzimi i popullit të
Perëndisë në shoqëritë e sotme të sekularizuara dhe ungjillëzimi i atyre
që ende nuk e kanë njohur ende Krishtin janë detyrimi i pareshtur i
Kishës.
3)
Kisha jonë, duke iu përgjigjur detyrimit të saj për të dëshmuar të
vërtetën dhe besimin e saj apostolik, i kushton rëndësi të madhe
dialogut, kryesisht me të krishterët heterodoksë. Në këtë mënyrë pjesa
tjetër e botës së krishterë njeh më saktë vërtetësinë e Traditës
Orthodhokse, vlerën e mësimit të Etërve të Kishës, përvojën liturgjike
dhe besimin e orthodhoksëve. Dialogët që zhvillon Kisha Orthodhokse nuk
do të thonë kurrë kompromis në çështje të besimit.
4)
Shpërthimet fondamentaliste që vihen re në gjirin e shumë feve përbëjnë
shprehje të një fetarie të sëmurë. Dialogu i kthjellët ndërfetar
kontribuon në mënyrë të rëndësishme në promovimin e mirëbesimit
reciprok, të paqes dhe të pajtimit. Vaji i përjetimit fetar duhet të
përdoret për zbutjen e plagëve dhe jo për të shtuar zjarrin e
konflikteve luftarake. Kisha Orthodhokse dënon në mënyrë të qartë
përhapjen e dhunës së luftës, përndjekjet, dëbimin dhe vrasjen e
anëtarëve të komuniteteve fetare, detyrimin me forcë për ndryshimin e
besimit fetar, tregtimin e refugjatëve, rrëmbimet, torturat, ekzekutimet
e pamëshirshme. Denoncon shkatërrimin e kishave, të simboleve fetare
dhe të monumenteve të kulturës. Në mënyrë të veçantë shpreh shqetësimin e
madh për situatën e të krishterëve dhe të të gjitha komuniteteve të
përndjekura në Lindjen e Mesme dhe gjetkë. I bën thirrje komunitetit
ndërkombëtar për mbrojtjen e orthodhoksëve vendas dhe të të krishterëve
të tjerë, si dhe të të gjitha popullsive të rajonit, që kanë të drejtë e
pamohueshme për të qëndruar në atdheun e tyre si qytetarë të barabartë.
Sinodi ynë i fton të gjithë sa janë përfshirë, të bëjnë pa vonesë
përpjekje sistematike për ndalimin e konflikteve luftarake në Lindjen e
Mesme dhe kudo ku vazhdojnë konfliktet e armatosura, si dhe të
riatdhesohen të dëbuarit. U bëjmë thirrje në mënyrë të veçantë të
fuqishmëve të dheut për mbizotërimin e paqes dhe të drejtësisë në vendet
e origjinës së refugjatëve. Këshillojmë autoritetet politike, qytetarët
dhe të krishterët orthodhoksë në vendet ku refugjatët shkojnë për të
gjetur strehë, të vazhdojnë të ofrojnë nga teprica apo edhe përtej
mundësive të tyre.
5)
Sekularizimi i ditëve tona synon pavarësimin e njeriut nga Krishti dhe
nga ndikimi shpirtëror i Kishës, të cilën e identifikon arbitrarisht me
konservatorizmin. Por qytetërimi perëndimor mban në mënyrë të
pashlyeshme vulën e kontributit diakronik të Krishterimit. Për më tepër,
Kisha tregon rëndësinë shpëtimtare të Perëndinjeriut dhe të Trupit të
Tij, si vendi dhe mënyra e jetës në liri.
6)
Kisha Orthodhokse, në përqasjen e ditëve tona ndaj martesës, e
konsideron të pazgjidhshme lidhjen e dashurisë midis burrit dhe gruas
“mister të madh në Krishtin dhe në kishë”. Në mënyrë të njëjtë e quan
“kishë të vogël” familjen, e cila buron nga martesa dhe përbën garancinë
e vetme për rritjen e fëmijëve.
Kisha
thekson vazhdimisht vlerën e vetëpërmbajtjes. Asketizmi i krishterë
dallon rrënjësisht nga çdo lloj asketizmi tjetër dualist, që e shkëput
njeriun nga jeta dhe i afërmi. Përkundrazi, e lidh me jetën e Mistereve
të shenjta të Kishës. Vetëpërmbajtja nuk i takon vetëm jetës murgërore.
Morali asketik është karakteristikë e jetës së krishterë në të gjitha
shprehjet e saj.
Sinodi
i Shenjtë dhe i Madh, përveç çështjeve konkrete për të cilat mori
vendim, thekson në mënyrë epigramatike edhe çështjet e mëposhtme
ontologjike dhe me vlerë aktuale:
7)
Sa u takon marrëdhënieve të besimit të krishterë dhe të shkencave
natyrore, Kisha Orthodhokse shmang patronazhin e kërkimit shkencor dhe
nuk pozicionohet për çdo lloj pyetjeje shkencore. Falënderon Perëndinë
që u fal shkencëtarëve dhuratën për të zbuluar anë të panjohura të
Krijesës Hyjnore. Zhvillimi i sotëm i shkencave natyrore dhe i
teknologjisë sjell ndryshime rrënjësore në jetën tonë; na ofron të mira,
siç janë lehtësimi i jetës së përditshme, përballimi i sëmundjeve
serioze, komunikimi më i lehtë midis njerëzve, studimi i hapësirës etj.
Me gjithë këto, ekzistojnë edhe pasoja negative, siç janë manipulimi i
lirisë, humbja graduale e traditave shumë të vyera, katastrofa e
ambientit natyror, vënia në pikëpyetje e vlerave morale. Dija shkencore,
sado të zhvillohet me ritme të shpejta, nuk vë në lëvizje vullnetin e
njeriut, as nuk i jep përgjigje problemeve serioze morale dhe
ekzistenciale, si dhe kërkimit për të gjetur kuptimin e jetës dhe të
botës. Këto kërkojnë qasje shpirtërore, të cilën Kisha Orthodhokse e
realizon me anë të bioetikës që mbështetet në etikën e krishterë dhe
mësimin e Etërve të Kishës. Njëkohësisht me respektimin e lirisë së
kërkimit shkencor, Kisha Orthodhokse thekson rreziqet që fshihen në disa
arritje shkencore të caktuara dhe këmbëngul në dinjitetin e njeriut dhe
destinacionin e tij hyjnor.
8)
Kriza e sotme ekologjike është e qartë se ka shkaqe shpirtërore dhe
morale. Rrënjët e saj lidhen me lakminë, pangopësinë dhe egoizmin, të
cilat çojnë drejt shpërdorimit të burimeve natyrore, në rëndimin e
atmosferës me ndotje të dëmshme dhe në ndryshimin klimatik. Përballimi i
krishterë i problemit kërkon pendim për shpërdorimet, vetëpërmbajtje
dhe moral asketik, që janë antidot ndaj hiperkonsumizmit dhe
njëkohësisht kultivojnë te njeriu ndërgjegjësimin se është “kujdestar”
dhe jo pronar i krijesës. Nuk resht së theksuari se edhe brezat e
ardhshëm kanë të drejtë mbi të mirat natyrore, që Krijuesi na i ka
besuar. Për këtë arsye Kisha Orthodhokse merr pjesë aktive në përpjekje
të ndryshme ekologjike në rrafshin ndërkombëtar. Ajo ka caktuar 1
shtatorin si ditën e lutjes për mbrojtjen e mjedisit natyror.
9)
Përballë homogjenizimit barazues dhe impersonal, që promovohet me
mënyra të ndryshme, Orthodhoksia shpall respektin ndaj veçantisë së
njerëzve dhe të popujve. Ajo i kundërvihet ndarjes së ekonomisë nga
nevojat themelore të njeriut dhe shndërrimit të saj në qëllim në
vetvete. Përparimi i gjinisë njerëzore nuk lidhet vetëm me zhvillimin e
nivelit të jetesës apo me përparimin e ekonomisë në dëm të vlerave
shpirtërore.
10)
Kisha Orthodhokse nuk përzihet në politikë. Fjala e saj vazhdon të jetë
e matur, por profetike, si ndërhyrje e detyruar në mbrojtje të njeriut.
Të drejtat e njeriut janë sot në qendër të politikës, si përgjigje ndaj
krizave dhe përmbysjeve të sotme shoqërore e politike, duke pasur si
synim mbrojtjen e qytetarit nga arbitrariteti i shtetit. Kisha jonë
shton në këtë fjalë edhe detyrimet e përgjegjësitë e qytetarëve dhe
nevojën e autokritikës së vazhdueshme të politikanëve dhe qytetarëve për
përmirësimin esencial të shoqërisë. Dhe, mbi të gjitha, thekson se
deontologjia orthodhokse mbi njeriun kapërcen horizontin e të drejtave
të njeriut të sanksionuara, se “më e madhja nga të gjitha” është
dashuria, siç e zbuloi Krishti dhe e përjetuan ata që E ndoqën me
besnikëri. Ajo gjithashtu këmbëngul se e drejtë themeltare është edhe
mbrojtja e lirisë fetare, pra, e lirisë së ndërgjegjes, e besimit, e
adhurimit dhe e të gjitha shprehjeve të saj individuale e kolektive,
duke përfshirë edhe të drejtën e çdo besimtari dhe të çdo komuniteti
fetar për të kryer lirisht nga çdo lloj ndërhyrjeje shtetërore detyrimet
e tyre fetare, si edhe të drejtën e mësimit publik të fesë.
11)
Kisha Orthodhokse u drejtohet të rinjve, të cilët kërkojnë plotësinë e
jetës të mbushur me liri, drejtësi, kreativitet, por edhe me dashuri. I
fton të lidhen me Kishën në mënyrë të ndërgjegjshme, me Kishën e Atij që
është e Vërteta dhe Jeta. Të vijnë duke i ofruar trupit kishtar
gjallërinë, shqetësimet, problematikat dhe shpresat e tyre. Të rinjtë
nuk përbëjnë thjesht të ardhmen e Kishës, por edhe të tashmen dinamike
dhe krijuese në nivel vendor e botëror.
12)
Sinodi i Shenjtë dhe i Madh çeli horizontin drejt botës së sotme
shumëformëshe. Theksoi përgjegjësinë tonë brenda nocionit të vendit dhe
të kohës, gjithnjë me perspektivë përjetësinë. Kisha Orthodhokse, duke
ruajtur të pandryshuar karakterin e saj sakramental dhe Sotiriologjik,
është e ndjeshme ndaj dhimbjes, shqetësimeve dhe thirrjeve për drejtësi
dhe paqe të popujve. “Shpall ditë për ditë shpëtimin e tij; duke u bërë
të ditur popujve lavdinë e tij, në të gjithë popujt çuditë e tij” (Ps.
95).
Le të lutemi që “Perëndia i çdo hiri, që na thirri në lavdinë e tij
të përjetshme me anë të Jisu Krishtit, pasi të pësoni pak, ai ju bëftë
të përsosur, ju forcoftë, ju dhëntë fuqi, ju themelostë. Atij i qoftë
lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.” (1Petr. 5:10-11).
Pasojnë emrat e të gjithë anëtarëve të Përfaqësive të Kishave Orthodhokse
Kolimbari, 26 qershor 2016