Παρασκευή 1 Ιουλίου 2016

MESAZHI I SINODIT TE SHENJTE DHE TE MADH PER POPULLIN ORTHODHOKS DHE PER CDO NJERI ME VULLNET TE MIRE

MESAZHI I SINODIT TE SHENJTE DHE TE MADH
PER POPULLIN ORTHODHOKS DHE PER CDO NJERI ME VULLNET TE MIRE
        MESSAGE OF THE HOLY AND GREAT COUNCIL ALBANIAN LANGUAGE
    ΤΟ ΜΗΝΥΜΑ ΤΗΣ ΑΓΙΑΣ ΚΑΙ ΜΕΓΑΛΗΣ ΣΥΝΟΔΟΥ ΣΤΗΝ ΑΛΒΑΝΙΚΉ ΓΛΩΣΣΑ
  Himnojmë dhe lavdërojmë Perëndinë “e dhembshurimeve dhe të çdo ngushëllimi”, sepse na denjësoi të mblidhemi në javën e Pentikostisë (18-26 qershor 2016), në Kretë, ku apostull Pavli dhe nxënësi i tij Titi predikuan Ungjillin në vitet e para të jetës së Kishës. Falënderojmë Perëndinë në Trini, sepse i pëlqeu të përfundojmë me një shpirt të vetëm punimet e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksisë, të thirrur nga Patriarku Ekumenik Vartholomeu, me mendimin unanim të primatëve të Kishave Orthodhokse Autoqefale lokale. 
    Duke ndjekur me besnikëri shembullin e apostujve dhe të etërve hyjmbajtës, studiuam përsëri Ungjillin e lirisë “me të cilën na çliroi Krishti” (Gal.5:1). Themeli i kërkimeve theologjike ka qenë siguria se Kisha nuk jeton për vete. Ajo transmeton dëshminë e Ungjillit të hirit dhe të së vërtetës dhe ofron dhuratat e Perëndisë në mbarë krijesën: dashurinë, paqen, drejtësinë, pajtimin, fuqinë e Kryqit dhe të Ngjalljes dhe shpresën e përjetësisë. 
    1) Përparësia bazë e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh ka qenë shpallja e unitetit të Kishës Orthodhokse. Mbështetur në Eukaristinë Hyjnore dhe në Pasardhjen Apostolike të Episkopëve, uniteti ekzistues duhet të fuqizohet më tej dhe të sjellë fryte të reja. Kisha Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike është shoqëri hyjnjerëzore, parashijim dhe përjetim i të Fundmeve (ton eskaton) brenda Eukaristisë Hyjnore. Si një Pentikosti e vazhdueshme, prania dhe dëshmia e Mbretërisë së Perëndisë së dashurisë është zë profetik i pareshtur. Kisha Orthodhokse, besnike në Traditën Apostolike unanime dhe në përvojën e Mistereve të Shenjta, përbën vazhdimësinë autentike të Një Kishe, të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, ashtu siç pohohet në Simbolin e Besimit dhe vërtetohet nga doktrina e Etërve të Kishës. Kisha jonë përjeton misterin e Ekonomisë Hyjnore në jetën e saj sakramentale me epiqendër Eukaristinë Hyjnore. 
    Kisha Orthodhokse e shpreh unitetin dhe katholicitetin e saj në Sinod. Sinodialiteti frymëzon organizimin, mënyrën e vendimmarrjes dhe përcakton ecurinë e saj. Kishat Orthodhokse Autoqefale nuk janë një federatë kishash, por Një Kishë, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Çdo Kishë lokale ofron Eukaristinë Hyjnore dhe është prania në vend dhe shfaqja e një Kishe të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Sa i takon Diasporës Orthodhokse në vende të ndryshme të globit, u vendos të vazhdojë funksionimi i Asambleve Episkopale deri në zbatimin e saktësisë kanonike (akriveia). Këto asamble janë të përbëra nga episkopët kanonikë, që caktohen nga çdo Kishë lokale Autoqefale, të cilët vazhdojnë t’i binden asaj. Funksionimi korrekt i Asambleve Episkopale garanton parimin orthodhoks të sinodialitetit. 
    Gjatë punimeve të Sinodit të Shenjtë e të Madh u theksua rëndësia e Mbledhjeve të Primatëve që janë realizuar dhe u formulua propozimi që Sinodi i Shenjtë dhe i Madh të shndërrohet në një institucion që mblidhet në mënyrë të përsëritur. 
    2) Duke marrë pjesë në Eukaristinë Hyjnore dhe duke u lutur për mbarë botën, duhet të vazhdojmë liturgjinë pas Liturgjisë Hyjnore dhe të japim dëshminë e besimit tek ata që janë pranë ose larg nesh, në përputhje me porosinë e qartë të Zotit përpara Ngjitjes së Tij në Qiell: “Dhe do më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem edhe në gjithë Judenë, edhe në Samari, edhe deri në fund të dheut” (Veprat 1:8). Riungjillëzimi i popullit të Perëndisë në shoqëritë e sotme të sekularizuara dhe ungjillëzimi i atyre që ende nuk e kanë njohur ende Krishtin janë detyrimi i pareshtur i Kishës. 
    3) Kisha jonë, duke iu përgjigjur detyrimit të saj për të dëshmuar të vërtetën dhe besimin e saj apostolik, i kushton rëndësi të madhe dialogut, kryesisht me të krishterët heterodoksë. Në këtë mënyrë pjesa tjetër e botës së krishterë njeh më saktë vërtetësinë e Traditës Orthodhokse, vlerën e mësimit të Etërve të Kishës, përvojën liturgjike dhe besimin e orthodhoksëve. Dialogët që zhvillon Kisha Orthodhokse nuk do të thonë kurrë kompromis në çështje të besimit. 
    4) Shpërthimet fondamentaliste që vihen re në gjirin e shumë feve përbëjnë shprehje të një fetarie të sëmurë. Dialogu i kthjellët ndërfetar kontribuon në mënyrë të rëndësishme në promovimin e mirëbesimit reciprok, të paqes dhe të pajtimit. Vaji i përjetimit fetar duhet të përdoret për zbutjen e plagëve dhe jo për të shtuar zjarrin e konflikteve luftarake. Kisha Orthodhokse dënon në mënyrë të qartë përhapjen e dhunës së luftës, përndjekjet, dëbimin dhe vrasjen e anëtarëve të komuniteteve fetare, detyrimin me forcë për ndryshimin e besimit fetar, tregtimin e refugjatëve, rrëmbimet, torturat, ekzekutimet e pamëshirshme. Denoncon shkatërrimin e kishave, të simboleve fetare dhe të monumenteve të kulturës. Në mënyrë të veçantë shpreh shqetësimin e madh për situatën e të krishterëve dhe të të gjitha komuniteteve të përndjekura në Lindjen e Mesme dhe gjetkë. I bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për mbrojtjen e orthodhoksëve vendas dhe të të krishterëve të tjerë, si dhe të të gjitha popullsive të rajonit, që kanë të drejtë e pamohueshme për të qëndruar në atdheun e tyre si qytetarë të barabartë. Sinodi ynë i fton të gjithë sa janë përfshirë, të bëjnë pa vonesë përpjekje sistematike për ndalimin e konflikteve luftarake në Lindjen e Mesme dhe kudo ku vazhdojnë konfliktet e armatosura, si dhe të riatdhesohen të dëbuarit. U bëjmë thirrje në mënyrë të veçantë të fuqishmëve të dheut për mbizotërimin e paqes dhe të drejtësisë në vendet e origjinës së refugjatëve. Këshillojmë autoritetet politike, qytetarët dhe të krishterët orthodhoksë në vendet ku refugjatët shkojnë për të gjetur strehë, të vazhdojnë të ofrojnë nga teprica apo edhe përtej mundësive të tyre. 
    5) Sekularizimi i ditëve tona synon pavarësimin e njeriut nga Krishti dhe nga ndikimi shpirtëror i Kishës, të cilën e identifikon arbitrarisht me konservatorizmin. Por qytetërimi perëndimor mban në mënyrë të pashlyeshme vulën e kontributit diakronik të Krishterimit. Për më tepër, Kisha tregon rëndësinë shpëtimtare të Perëndinjeriut dhe të Trupit të Tij, si vendi dhe mënyra e jetës në liri. 
    6) Kisha Orthodhokse, në përqasjen e ditëve tona ndaj martesës, e konsideron të pazgjidhshme lidhjen e dashurisë midis burrit dhe gruas “mister të madh në Krishtin dhe në kishë”. Në mënyrë të njëjtë e quan “kishë të vogël” familjen, e cila buron nga martesa dhe përbën garancinë e vetme për rritjen e fëmijëve. 
Kisha thekson vazhdimisht vlerën e vetëpërmbajtjes. Asketizmi i krishterë dallon rrënjësisht nga çdo lloj asketizmi tjetër dualist, që e shkëput njeriun nga jeta dhe i afërmi. Përkundrazi, e lidh me jetën e Mistereve të shenjta të Kishës. Vetëpërmbajtja nuk i takon vetëm jetës murgërore. Morali asketik është karakteristikë e jetës së krishterë në të gjitha shprehjet e saj.
Sinodi i Shenjtë dhe i Madh, përveç çështjeve konkrete për të cilat mori vendim, thekson në mënyrë epigramatike edhe çështjet e mëposhtme ontologjike dhe me vlerë aktuale:
    7) Sa u takon marrëdhënieve të besimit të krishterë dhe të shkencave natyrore, Kisha Orthodhokse shmang patronazhin e kërkimit shkencor dhe nuk pozicionohet për çdo lloj pyetjeje shkencore. Falënderon Perëndinë që u fal shkencëtarëve dhuratën për të zbuluar anë të panjohura të Krijesës Hyjnore. Zhvillimi i sotëm i shkencave natyrore dhe i teknologjisë sjell ndryshime rrënjësore në jetën tonë; na ofron të mira, siç janë lehtësimi i jetës së përditshme, përballimi i sëmundjeve serioze, komunikimi më i lehtë midis njerëzve, studimi i hapësirës etj. Me gjithë këto, ekzistojnë edhe pasoja negative, siç janë manipulimi i lirisë, humbja graduale e traditave shumë të vyera, katastrofa e ambientit natyror, vënia në pikëpyetje e vlerave morale. Dija shkencore, sado të zhvillohet me ritme të shpejta, nuk vë në lëvizje vullnetin e njeriut, as nuk i jep përgjigje problemeve serioze morale dhe ekzistenciale, si dhe kërkimit për të gjetur kuptimin e jetës dhe të botës.  Këto kërkojnë qasje shpirtërore, të cilën Kisha Orthodhokse e realizon me anë të bioetikës që mbështetet në etikën e krishterë dhe mësimin e Etërve të Kishës. Njëkohësisht me respektimin e lirisë së kërkimit shkencor, Kisha Orthodhokse thekson rreziqet që fshihen në disa arritje shkencore të caktuara dhe këmbëngul në dinjitetin e njeriut dhe destinacionin e tij hyjnor. 
    8) Kriza e sotme ekologjike është e qartë se ka shkaqe shpirtërore dhe morale. Rrënjët e saj lidhen me lakminë, pangopësinë dhe egoizmin, të cilat çojnë drejt shpërdorimit të burimeve natyrore, në rëndimin e atmosferës me ndotje të dëmshme dhe në ndryshimin klimatik. Përballimi i krishterë i problemit kërkon pendim për shpërdorimet, vetëpërmbajtje dhe moral asketik, që janë antidot ndaj hiperkonsumizmit dhe njëkohësisht kultivojnë te njeriu ndërgjegjësimin se është “kujdestar” dhe jo pronar i krijesës. Nuk resht së theksuari se edhe brezat e ardhshëm kanë të drejtë mbi të mirat natyrore, që Krijuesi na i ka besuar. Për këtë arsye Kisha Orthodhokse merr pjesë aktive në përpjekje të ndryshme ekologjike në rrafshin ndërkombëtar. Ajo ka caktuar 1 shtatorin si ditën e lutjes për mbrojtjen e mjedisit natyror. 
    9) Përballë homogjenizimit barazues dhe impersonal, që promovohet me mënyra të ndryshme, Orthodhoksia shpall respektin ndaj veçantisë së njerëzve dhe të popujve. Ajo i kundërvihet ndarjes së ekonomisë nga nevojat themelore të njeriut dhe shndërrimit të saj në qëllim në vetvete. Përparimi i gjinisë njerëzore nuk lidhet vetëm me zhvillimin e nivelit të jetesës apo me përparimin  e ekonomisë në dëm të vlerave shpirtërore. 
    10) Kisha Orthodhokse nuk përzihet në politikë. Fjala e saj vazhdon të jetë e matur, por profetike, si ndërhyrje e detyruar në mbrojtje të njeriut. Të drejtat e njeriut janë sot në qendër të politikës, si përgjigje ndaj krizave dhe përmbysjeve të sotme shoqërore e politike, duke pasur si synim mbrojtjen e qytetarit nga arbitrariteti i shtetit. Kisha jonë shton në këtë fjalë edhe detyrimet e përgjegjësitë e qytetarëve dhe nevojën e autokritikës së vazhdueshme të politikanëve dhe qytetarëve për përmirësimin esencial të shoqërisë. Dhe, mbi të gjitha, thekson se deontologjia orthodhokse mbi njeriun kapërcen horizontin e të drejtave të njeriut të sanksionuara, se “më e madhja nga të gjitha” është dashuria, siç e zbuloi Krishti dhe e përjetuan  ata që E ndoqën me besnikëri. Ajo gjithashtu këmbëngul se e drejtë themeltare është edhe mbrojtja e lirisë fetare, pra, e lirisë së ndërgjegjes, e besimit, e adhurimit dhe e të gjitha shprehjeve të saj individuale e kolektive, duke përfshirë edhe të drejtën e çdo besimtari  dhe të çdo komuniteti fetar për të kryer lirisht nga çdo lloj ndërhyrjeje shtetërore detyrimet e tyre fetare, si edhe të drejtën e mësimit publik të fesë. 
    11) Kisha Orthodhokse u drejtohet të rinjve, të cilët kërkojnë plotësinë e jetës të mbushur me liri, drejtësi, kreativitet, por edhe me dashuri. I fton të lidhen me Kishën në mënyrë të ndërgjegjshme, me Kishën e Atij që është e Vërteta dhe Jeta. Të vijnë duke i ofruar trupit kishtar gjallërinë, shqetësimet, problematikat dhe shpresat e tyre. Të rinjtë nuk përbëjnë thjesht të ardhmen e Kishës, por edhe të tashmen dinamike dhe krijuese në nivel vendor e botëror. 
    12) Sinodi i Shenjtë dhe i Madh çeli horizontin drejt botës së sotme shumëformëshe. Theksoi përgjegjësinë tonë brenda nocionit të vendit dhe të kohës, gjithnjë me perspektivë përjetësinë. Kisha Orthodhokse, duke ruajtur të pandryshuar karakterin e saj sakramental dhe Sotiriologjik, është e ndjeshme ndaj dhimbjes, shqetësimeve dhe thirrjeve për drejtësi dhe paqe të popujve. “Shpall ditë për ditë shpëtimin e tij; duke u bërë të ditur popujve lavdinë e tij, në të gjithë popujt çuditë e tij” (Ps. 95). 
    Le të lutemi që “Perëndia i çdo hiri, që na thirri në lavdinë e tij të përjetshme me anë të Jisu Krishtit, pasi të pësoni pak, ai ju bëftë të përsosur, ju forcoftë, ju dhëntë fuqi, ju themelostë. Atij i qoftë lavdia  dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.” (1Petr. 5:10-11). 

    Pasojnë emrat e të gjithë anëtarëve të Përfaqësive të Kishave Orthodhokse
    Kolimbari, 26 qershor 2016